Agjërimi i lojtarëve, sa ndikohen ekipet e Serisë A

Muaji i shenjtë i Ramazanit ka nisur në të gjithë botën për
besimtarët muslimanë teksa nuk bëjnë përjashtim edhe sportistët por
ndikimin më të madh e kanë futbollistët të cilët gjithmonë punojnë në
grup, dhe oraret i kanë jo fleksibël për shkak të rregullave të
skuadrave.

Kështu deri më 12 Maj, shumë ekipe të Serisë A do të ndikohen pasi ka
dhjetëra futbollistë që vendosin të agjërojnë gjatë gjithë muajit edhe
kur kanë aktivitete sportive. Nga klubet që janë në krye, ekipi më shumë
i “prekur” duket Milani ku lojtarë të rëndësishëm dhe titullarë si
Kessie, Calhanoglu dhe Bennacer do të agjërojnë rregullisht deri në
fund. Ndërkohë te Interi është marokeni Hakimi që do të ndjekë rregullat
e agjërimit pa asnjë përjashtim ndërsa te Fiorentina do të jenë Amrabat
dhe Ribery e pa harruar Vedat Muriqin te Lazio.

Bologna do të ketë 3 lojtarë si Barrow, Juwara e Mbaye, Napoli me
Ghoulam dhe Diawara, Demiral te Juventus dhe Colley te Sampdoria.

Janë jo pak futbollistë profesionistë që respektojnë muajin e shenjtë
të Ramazanit i cili konsiderohet i dobishëm edhe në aspektin shpirtëror
e atë shëndetësor por nga ana tjetër ka ndikim jo pak te këta lojtarë
në aspektin sportiv. Gjithsesi me ndihmën e klubeve që duhet thënë kudo
në botë e jo në Serinë A, respektojnë vendimet e lojtarëve dhe i
ndihmojnë që ta kalojnë sa më lehtë dhe pa probleme si në aspektin
sportiv ashtu edhe fizik.