Shkencëtarët në alarm: Vetëm 2.8% e ekosistemit të planetit mbetet e paprekur nga dora e njeriut

Sipas studimit të fundit shkencor nga Universiteti i Kembrixhit, 2.8% e planetit mbetet ekologjikisht e paprekur, me popullata të shëndetshme të të gjithë kafshëve dhe bimëve.
Sipas shkencëtarëve, pjesët e vogla të planetit që nuk janë dëmtuar nga aktiviteti njerëzor gjenden kryesisht në zonat e pyjeve tropikale të Amazonës dhe Kongos, në pyjet dhe tundrën e Siberisë Lindore, në Kanadanë veriore, si dhe në Sahara.
Përveç kësaj, sipas hulumtimit të botuar në revistën Frontiers in Forests and Global Change, speciet e huaja invazive, përfshirë macet, dhelprat, lepujt, dhitë dhe devetë, kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në speciet vendase në Australi, si pasojë shkencëtarët nuk gjejnë zona të paprekura në atë kontinent.

Studiuesit madje propozojnë të vendosin një numër të vogël të specieve të rëndësishme endemike në disa zona të shkatërruara, të tilla si elefantët ose ujqërit, një lëvizje që synon të rikthejë deri në 20% të sipërfaqes së tokës.
Analizat e mëparshme, të mbështetetura në imazhet satelitore, vlerësojnë se 20-40% e sipërfaqes së Tokës është prekur pak nga njerëzit.
Sidoqoftë, shkencëtarët në këtë studim të ri argumentojnë se pyjet, savanat dhe tundrat mund të duken të paprekura nga lart, por në tokë, speciet jetësore mungojnë.
Si për shembull, elefantët që shpërndajnë farërat më tokë dhe ujqërit që kontrollojnë popullatat e drerëve.

Vlerësimi i ri përkufizon hartat që tregojnë dëmet e shkaktuara nga
njeriu, siç është zhdukja e kafshëve nga habitatet e tyre origjinale ose
minimizimi i popullatave, duke rezultuar e pamundur ruajtja e
ekosistemit të shëndetshëm.
Shkencëtarët madje vërejnë se analiza e
re nënvlerëson zonat e paprekura, sepse shumë specie të kafshëve të
humbura gjatë shekujve janë të pakta ose nuk njihen, ndërsa hartat e
reja nuk kanë marrë parasysh efektet e krizës klimatike, e cila ka
ndryshuar gamën e specieve në tërësi.
Është fakt, planeti po
përballet me një krizë serioze të biodiversitetit, me shumë popullata të
kafshëve të egra në prag të zhdukjes,nga luanët deri te insektet,
kryesisht për shkak të shkatërrimit të habitateve për kultivim dhe
ndërtim.

Disa shkencëtarë madje besojnë se ka filluar zhdukja e gjashtë masive
e jetës në Tokë, me pasoja serioze për ushqimin, ujin e pastër dhe
ajrin.
“Në shumë habitate që i konsiderojmë të paprekura
mungojnë specie që janë kapur madje edhe kontrabandë nga gjuetarët, ose
janë zhdukur për shkak të specieve të huaja ose sëmundjeve”
, tha Dr.Andrew Plumptre, studiues në Zonat Kryesore të Biodiversitetit, për britaniken Guardian.

“Është mjaft e frikshme, sepse kjo tregon se vendet e vetme që kanë
ekosisteme funksionale dhe që janë plotësisht të paprekura, janë të
pakta. Ne jemi në dekadën ku Organizata e Kombeve të Bashkuara ka
vendosur synim rivendosjen e ekosistemit dhe po përqendrohet në
rehabilitimin e habitateve të degraduara. Ne duhet të mendojmë
seriozisht për rehabilitimin e specieve në mënyrë që të mund të
rigjenerojmë dhe rikrijojmë zonat me ekosisteme ekologjikisht të
paprekura.”

Studimi, i botuar në revistën Frontiers in Forests and Global Change,
ka përdorur harta të bazuara në Listën e Kuqe të IUCN. Shumica e të
dhënave kanë të bëjnë me gjitarët, por gjithashtu përfshijnë zogj,
peshq, bimë, zvarranikë dhe amfibë.
Shumë nga zonat e paprekura ndodhen në vendet e banuara nga komunitete autoktone. Analiza nuk ka përfshirë Antarktidën.