Rilindja që e ‘vrau’ Shqipërinë

Është e frikshme kur dëgjon se edhe në Shqipërinë e sotme, nuk mund
të organizohen zgjedhje pa vrasje. Dhe se në mëmëdhe ka hajdut dhe
mbrojtës votash, se në Shqipëri hajdutin e votave e mbron policia dhe
drejtësia, e votuesi është lënë në mëshirën e banditëve, e të të pasurve
dhe kriminelëve.

Në Shqipëri ka vrasje gjatë zgjedhjeve sepse atje tri dekada me
radhë, shumica e burrështetasve, i mbushnin xhepat dhe e varfëronin
popullin, sepse gjatë tetë viteve të fundit, ‘Rilindja’ e vrau shtetin,
me çka përfundimesh, mëmëdheu u bë shtet ku shumicës së votuesve nuk u
mbetet gjë tjetër përpos se ta shesin varfërinë e tyre dhe ku,
politikanët e pandëshkueshëm, bëjnë krimin më të madh – blejnë vota me
paratë që ia kanë vjedhur popullit.

Po pra, gjatë tetë viteve të fundit, e sunduar nga aleanca e gjitha
‘qelbësirave’ – ‘Rilindja’, Shqipëria i ngjante një punëtorie hajnash që
prodhonin grindje ndërshqiptare dhe intriga, vetëm për ta mbuluar
hajninë. Apo i ngjante dhomës së bixhozit, të cilës, nëpërmjet mediave
proregjimit, bixhozxhitë ia kishin lëshuar perdet, që populli të mos i
shihte ahengjet e tyre nëpër restorantet e Dubait.

Është
pra rrëqethëse kur dëgjon se edhe në Shqipërinë e tanishme nuk mund të
organizohen zgjedhje pa vrasje dhe ku aktivistët partiak e dhunojnë
njëri tjetrin, e institucionet e shtetit, duke qenë në shërbim të
regjimit të “Rilindjes”, e vrasin të vërtetën për këto ngjarje tragjike.

Andaj ditët e para 25 prillit në Shqipëri janë të trishta dhe u
ngjajnë atyre të para fillimit të betejës përfundimtare mes armiqve të
përbetuar. Por nuk duhet harruar se terri i natës, është më i dendur
përpara agimit dhe le të besojmë se pas të dielës do gdhijë mundësia për
ndërtimin e një Shqipërie ndryshe nga kjo e tri dekadave varfëruese që
ajo i jetoi.

Dhe le të shpresojmë se për fatin e Shqipërisë së pas 25 prillit do
vendosë një gjeneratë e re politike, e ngjashme me Tomor Alizotin, Ori
Nebiajn, Agim Baçin…, të cilët e kanë kuptuar se pushteti dhe pozitat
nëpër institucionet shtetërore janë të përkohshme, e atdheu është i
përjetshëm dhe andaj, nuk duhet ta flijosh të përjetshmen për hir të
kënaqësive të përkohshme.

Pra duhet të shpresojmë se me 25 prill votuesit shqiptarë nuk do e
përbuzin vetveten duke e shitur varfërinë e tyre, pra duke ua dhënë
votën atyre që ua shpërndajnë lekët e hajdutërisë dhe se, nuk do shkelin
mbi dinjitetin e vet, duke u gjunjëzuar përpara kriminelëve nga të
cilët duhet ta çlirojnë Shqipërinë.

Dhe zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëria janë shumë të rëndësishme
edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë mëmëdheut, sepse ata duan që
mëmëdheun e tyre ta sundojë ‘partia’ më e rëndësishme që e mbanë drejtë
boshtin e shqiptarisë – nga ‘partia’ e patriotizmit dhe atdhedashurisë.

Dhe duan që Shqipëria të jetë çadër mbrojtëse e shqiptarisë, e jo
shtyllë mbështetëse e Beogradit për t’i defaktorizuar shqiptarët. Më në
fund, shqiptarët jashtë mëmëdheut e dinë se fati i tyre është
proporcional me atë se në duart e kujt është mëmëdheu, e dinë se
përderisa në Tiranë rrënohet Teatri Kombëtarë, përderisa Shqipëria do
paguaj me qindra miliona euro dënime vetëm shkaku i tekeve të Piktorit,
se përderisa mëmëdheu ka burrështetas që më të rëndësishëm e kanë
mini-shengenin e Beogradit se sa kufijtë e Kosovës, se përderisa në
Tiranë mbillen pemët e gënjeshtrave, nëpër trojet tjera shqiptare do
mbijë pasiguria dhe ndjenja e inferioritetit ndaj popujve sllav.