Borxhi publik rritet në rekorde, stoku shtohet me 372 mln euro në 3-mujorin e parë, arsyet

Borxhi publik i vendit pësoi një rritje jo të zakonte në tremujorin e parë të vitit 2021 në kulmin e fushatës zgjedhore.

Sipas të dhënave të zyrtare të Ministrisë
Financave, stoku i borxhit publik u rrit në janar-mars me 45,7 miliardë
lekë ose rreth 372 milionë euro. Kjo ishte rritja më e fortë për një
periudhe kaq të shkurtër dhe është sa rreth 41 për qind të gjithë
shtesës së borxhit gjatë vitit pandemik 2020 (në 2020-n stoku i borxhit u
rrit me rreth 112 miliardë lekë, në raport me 2019-n).

Në total stoku i detyrimeve publike arriti
në rreth 1.26 trilionë lekë, nga 1.24 trilionë lekë që ishte në fund të
vitit 2020. Të dhënat tregojnë se qeveria ka konsumuar vetëm në tre muaj
gjysmën e sasisë vjetore të borxhit të ri që ishte planifikuar ketë
vit.

Borxhi në % të PBB pësoi rënie, duke
arritur nivelin 75.4%, nga 77.8 për qind që ishte në fund të vitit.
Mirëpo krahasimi me PBB nuk vlen para fundit të vitit për shkak se,
shifra e PBB-së përfaqëson  pritshmërinë e fundit të vitit.

Të dhëna më të detajuara të Ministrisë së
Financave tregojnë se, rritja e borxhit në këtë periudhe është stimuluar
nga dy kredia të mëdha. Njëra me vlerë 90 milionë euro nga Komisioni
Europian për zbutjen e pasojave të rënda ekonomiko-sociale që krijoi
pandemia Covid -19 dhe tjetra kredi prej 82 milionë euro e IBRD për
mbështetjen e turizmit dhe infrastrukturës.

Më tej një rritje prej rreth 50 milionë
eurosh është krijuar nga rivlerësimi i kursit të këmbimit dhe pjesa
tjetër prej 18 miliardë  lekësh rreth 150 milionë euro është huaja
shtesë që u mor në tregun e brendshëm.

Borxhi publik i vendit shënoi një rritje jo
të zakonte me rreth 10 pikë përqindje të PBB-së për shkak të tronditjes
ekonomike që krijoi tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë Covid -19,
që e rriten stokun e detyrimeve me gati 1 miliardë lekë gjatë vitit të
kaluar. Në raport me PBB-në borxhi publik arriti në 78% në fund të
2020-s, nga 66.2% në fund të 2019-s.

Sipas një renditje të Eurostat, Shqipëria u
përfshi në mesin e 13 vendeve më borxhin më të lartë publike në raport
me PBB në të gjithë Europë në vitin 2020.

Por me kapacitetin fiskal që ka Shqipëria
borxhi publik është së paku 15 pikë përqindje më i lartë se kufiri
maksimal që një vend në tranzicion i lejohet të këtë, sipas kritereve të
institucioneve financiare ndërkombëtare.

Shqipëria e ka rritur me shpejtësi borxhin
publik në dekadën e fundit, por përdorimi i tij vlerësohet se nuk ka
gjeneruar rritje ekonomike me të njëjtat ritme./MONITOR/