Dua të jem Kryeministri i të gjithë shqiptarëve!

Pjesë nga fjalimi i kryeministrit Rama në festën e PS në
sheshin “Skënderbej” pas fitores së mandatit të tretë në zgjedhjet e 25
prillit.

Unë dua të jem Kryeministri i të gjithë shqiptarëve, jo vetëm i
atyre që më dhanë mandatin e tretë, jo vetëm i socialistëve por edhe i
demokratëve, jo vetëm i atyre që votuan por edhe ai atyre që nuk fituan
fare.

Dua që Shqipëria të ngjitet në majën ku Zoti e deshi, e qëndisi
me aq përkujdesje si një zonjë me hire magjepsëse duke futur brenda në
një vend kaq të vogël dy dete, njëri më i bukur se tjetri, një diell që
edhe kur nuk ngroh ndrit mbi trupin e saj gjatë gjithë vitit. Plot 152
lumenj dhe përrenj përgjatë tërë trupit të mahnitshëm të saj.

Dua që Shqipëria të mos vuajë më nga dora e mbrapshtë e robit që
për kaq shumë kohë, o Zot sa shumë kohë e ka penguar këtë popull që ta
marrë siç i takon pjesën e tij nga kjo dhuratë e Zotit me emrin e bukur
Shqipëri.

Unë dua që Shqipëria përtej pandemisë të bëhet vendi ku
shqiptarët të jenë krenarë jo vetëm për bukuritë e vendit të tyre,
gjuhën, historinë, traditën, bujarinë, heronjtë, këngët dhe vallet,
artistët, poetët, shkrimtarët e tyre, por edhe për këtë shtëpi të madhe
ku jetojnë dhe lindin fëmijët e tyre që quhet Shqipëri.

Unë dua që Shqipëria që përballoi me aq karakter dhe durim
tërmetin dhe pandeminë të përballet me të njëjtin karakter dhe po atë
durim dhe me të këqiat e kësaj shoqërie ku politika e para duhet të
përballet me vetëveten për ta tejkaluar adoleshencën e saj kaq
problematike, e cila ka zgjatur kaq tepër duke e tepruaer me vicklat,
dënglat, sherret dhe zhurmën e vet të padurueshme.

Unë dua që nga unë i pari, të nisim një përpjekje reale, serioze,
të vërtetë dhe të vështirë sa të duash për tu bërë shumë më të
vetëdijshëm në çdo qelizë se çdo fjalë që nxjerrim, çdo vendim që
marrim, çdo veprim që bëjmë dhe çdo hap që duam të hedhim ndikon për
mirë apo për keq direkt mbi njerëzit e këtij vendi, mbi të rinjtë që
gjuhën e nënës kanë shqipen, mbi shëndetin shoqëror dhe moral të
popullit tonë, mbi vetë të ardhmen e Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Unë
nuk dua që mandati i tretë të ngjajë si vazhdim i dy të tjerëve në
aspektin e komunikimit dhe debatit mes nesh.

Ne nuk kemi pse të biem dakord me pahir por ama nuk kemi pse që
mosdakordësinë ta kemi kaq ndotëse, kaq mbytëse dhe ulëritëse. Cilësia e
bashkëjetesës qeverisëse nuk matet me sa shumë biem dakord por me
mënyrën si e administrojmë dakordësinë. Mosdakordësia është ushqim për
demokracinë jo helm për popullsinë. Pushteti për mua nuk është qëllim
por vetëm mjet për të arritur qëllimet për Shqipërinë.

Me PD na ndajnë natyrshëm shumë gjëra por jo qëllimet madhore për
Shqipërinë. Socialistët e demokratët duan ta bëjnë Shqipërinë anëtare
të BE-së por duke e bërë integrimin europian hendek balte dhe armë për
të asgjësuar njëri-tjetrin, ky qëllim  kaq i madh nuk shpejtohet por
vetëm vonohet.

Socialistët dhe demokratët shqiptarë në çdo qytet, çdo fshat nga
jugu në veri duan nga të dyja palët që të rrisin ekonominë dhe
mirëqënien por duke nxirë çdo ditë shqiptarëve me ziftin e rrugëve të
komunikimit mes palëve, rritja e ekonomisë dhe mirëqënies nuk shpejtohet
por vetëm pengohet.

Socialistët dhe demokratët shqiptarë duan që vajzat dhe djemtë e
tyre të mos ikin nga Shqipëria prej hallit por vetëm kur dëshirojnë ta
provojnë veten jashtë kufijve të saj. Por një shtëpi ku të mëdhenjtë
bëjnë vetëm sherr dhe nuk merren vesh për asgjë, fëmijët e vet i mban
brenda veç prej zorit dhe hiç prej qejftit të qenit bashkë në një çati. E
pra, nuk mjafton ta themi përditë si në një garë frenetike sesa shumë e
duam Shqipërinë, sesa të përvëluar jemi për flamurin e Europës, sesa të
përkushtuar jemi për qytetarët e këtij vendi, sesa të prekur jemi nga
varfëria e një pjese prej tyre apo sa të inatosur jemi me atë që u bien
në qafë të tjerëve lart e poshtë në këtë vend.

Jo, nuk mjafton të jemi të zotët me fjalë por duhet ta tregojmë
me vepra, se ne përfaqësues të këtij populli jemi më të mirë sa dukemi
kur i hidhemi  në fyt njëri-tjetrit, kur e godasim njëri-tjetrin me
fjalën e fundit apo me bojë e çizme, kur bëhemi gazi i botës me lojën
macja me miun, dhe kur i bëjmë Shqipërisë në sytë e komunitetit
ndërkombëtar atë që as armiqtë nuk i bëjnë dot këtij vendi. Ky është
vendi ynë e në këtë vend nuk mund ta duam me pjesë,  as nuk mund ta
ndajmë në pjesë.

E di që ta thuash me fjalë është shumë më lehtë sesa ta bësh por
unë jam më i gatshëm se asnjëherë tjetër që të përpiqem me të gjithë
forcat e mia që edhe ta bëj. E di mirë po ashtu se nuk mjafton vullneti
im, as i imi dhe as i gjithëve ne fituesve sepse duhet dhe vullneti i PD
dhe kujdo që do ta drejtojë atë në katër vitet e këtij kapitulli të ri
të jetës tonë demokratike.

Por unë e kam mësuar dhe e kam provuar më shumë se njëherë në
jetën time, për dreq tani nuk është as e shkurtër kjo jeta ime, se asgjë
që njeriu e ëndërron me sy hapur nuk është e pamundur dhe ëndrra ime me
sy hapur është që Shqipëria e kësaj dekade që nis me mandatin e tretë
radhazi të PS të bëhet kampione e Ballkanit.

Mandati i tretë është mandati më i fortë që një shumicë
qeverisëse ka pasur ndonjëherë. Ne do ta realizojmë këtë megaprojekt me
gjithë energjinë që shumica dërmuese e zgjedhësve sapo na e ka dhënë.

Por nëse arrijmë që ti bashkojmë forcat me PD-në për të gjithë
ato qëllime dhe objektiva që nuk na ndajnë por na bashkojnë,  kjo dekadë
do të hyjë në histori jo vetëm për çfarë bëmë për Shqipërnë por edhe
për çfarë nuk vazhduam të bëjmë kundër interesit të saj dhe qytetarëve
të këtij vendi pa dallim.

Dy dasitë e mëdha që vazhdojnë ta bëjnë të rrëshqitshme tokën nën
këmbët e Shqipërisë që ka ecur shumë përpara në këto vite por kurrësesi
aq sa mund të kishte ecur pa këto dy dasi janë tmerrësisht të vështira
për tu kapërcyer por po kaq e tmerrshme është të mos përpiqemi ti
kapërcejmë dhe t’ia lëmë pëshqesh gjeneratës tjetër bashkë me stafetën
tonë.

E para është dasia e hapur që në Luftën Botërore, komunist dhe
nacionalist, e thelluar si nuk ka më zi gjatë dekadave të diktaturës
enveriste dhe e trashëguar prej komunizmit si një mallkim që na ndjek
nga pas duke përçarë shqiptarët deri në fshatin më të largët përmes një
thike që i bëjnë të harrojnë se në radhë të parë janë shqiptarë.

Unë kam lindur shqiptar, nuk kam lindur socialist. Për mua
demokratët janë shqiptarë, pastaj janë demokratë.  Këtu sot mungon
dikush që punoi për këtë fitore, miku i shtrenjtë, Bashkim Fino. E
imagjinoj këtu bashkë me ne, duke festuar për fitoren tonë të
mrekullueshme. Por, u desh të ikte nga kjo botë, Bashkimi ynë i dashur,
që të gjithë të bashkoheshin e të kujtoheshin se vdiq një shqiptar i
mirë.

Mallkimi i së shkuarës nuk na ka lejuar kurrë që në skenën e
politikës të jemi bashkë në të gjallë. Vetëm në ditët e zeza kemi mundur
të mendojmë se nëna nuk na ka bërë për t’u bërë ujq për njëri-tjetrin.
Ndasia tjetër është ajo që duket edhe sot në hartën elektorale. Mjafton
të dallosh ngjyrat, një ndasi e kuptueshme për Shqipërinë e lëngatave.

Kjo është fiks ora për t’ia shtrirë dorën PD, duke e bërë të
qartë se mandatin e tretë duam t’ia kushtojmë bashkimit, jo ndasive,
punëve, jo sherreve. Politika na ka ndarë, politika mund të na bashkojë,
sepse politika është e vetmja në tokë, që di t’i bëjë të dyja.

Që njerëzit e dalë nga pylli të mos hanë njëri-tjetrin, por të
bëjnë gjëra që të vetmuar nuk i bëjnë dot. Edhe Shqipërinë, në majën ku
Zoti e deshi kur e krijoi, politika e ka penguar të ngjitet dhe politika
mund ta cojë. Prandaj, le të përpiqemi ta vëmë politikën më shumë se
asnjëherë më parë në dispozicion të Shqipërisë, të amanetit të
rilindësve dhe heronjve tanë, të borxhit që u kemi fëmijëve tanë.

Shqipëria është shumë e vogël për të mos u bërë dot ajo që
meritojnë shqiptarët. Shqipëria bëhet dhe do ta bëjmë ne, shqiptarët e
kësaj dekade. Do të rinisim punën që nesër me një vrull të ri, nga
shërimi i plotë dhe i shpejtë i krejt plagëve të tërmetit dhe shporrja e
armikut të padukshëm, ta luftojmë me një ambicie të re armikun brenda
vetes, që na tërheq në rrugën e ndasisë e të sherrit.

Shqipëria fitoi më 25 prill, tani është radha jonë të fitojmë çdo
ditë për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve. Zoti qoftë i duruar me ne
dhe ne të duruar me njëri-tjetrin. Rroftë PS, rroftë i madh e i vogël që
ka lindur shqiptar. Rroftë Shqipëria!