Rama: PD mban peng negociatat. Berisha: Mbulon dështimet duke i hedhur fajin opozitës

Ish kryeministri Sali Berisha dhe kryeministri Edi Rama

Kryeministrit Edi Rama gjatë fjalës së tij në seancën plenare të kësaj të enjteje ka folur lidhur me ligjin për vlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve . Rama ka akuzuar sërish opozitën se po pengon në mënyrë të qëllimshme ligjin në fjalë e për rrjedhojë edhe procesin e integrimit të vendit, që sipas tij nuk ka asnjë kusht tjetër veç Vetting-ut.

“Kryefjala sot është përsëri Vetting-u i gjykatësve dhe prokurorëve që ju e mbani peng. Vendet anëtare të BE-së e vlerësuan progresin e qëndrueshëm që ka bërë Shqipëria”, ka deklaruar Rama.

Kreu i qeverisë ka theksuar se, progresi i mëtejshëm në implementimin e 5 prioriteteve që lidhen me reformat është thelbësor për çdo vend që synon integrimin, por këto prioritete sipas tij janë vetëm kritere dhe jo kushte për anëtarësim.

“Këto janë kritere, kusht është Vetting-u, ligji që i hap rrugë reformës në drejtësi. Të tjerat janë dokrrat e dëshpërimit tuaj të pangushëllueshëm. Ju hidhni përditë baltë e akuza, me shpresën se shqiptarët do t’ju besojnë juve”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se, “me përmbushjen e këtij kushti Këshilli i Europës do të vlerësojë hapjen e negociatave, sapo Komisioni të konstatojë një progres të vazhdueshëm”. “Kjo do të thotë se Shqipëria nuk është peng i kalendarit të KE, por peng i kalendarit të PD”, ka thënë Rama.

Por deklaratës së Ramës i ka reaguar ish-kryeministri Sali Berisha duke e akuzuar atë se po mundohet të mbulojë dështimin e tij me integrimin duke ia hedhur fajin opozitës.

“Pas dy mbledhjeve vendimmarrëse për hapjen e negociatave, ku për fatin tonë të keq Këshilli i Ministrave të Jashtëm të vendeve të BE vendosi jo vetëm të mos hapë negociatat, jo vetëm të mos caktojë një datë, jo vetëm të mos caktojë një datë për raportin tjetër, por edhe t’u thotë shqiptarëve që Vetting-u nuk është kushti i vetëm. Vendosi që t’u thotë shqiptarëve se kryeministri i mashtron në mënyrën më të shpërfytyruar për një nga proceset më madhore të së ardhmes së tyre”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, gjithçka tjetër që thuhet nga Edi Rama, “që ka mungesën e plotë të përgjegjësisë”, janë përpjekjet e tij për të mbuluar dështimin e plotë, me sharje dhe fyerje ndaj opozitës.

Në vijim të fjalës së tij, Berisha ka shtuar se, kusht nga BE është që Vetting-u të miratohet me konsensus mes palëve, ndërkohë që Rama, sipas tij, e përjashtoi opozitën nga ky proces.

“Këshilli i Ministrave të Jashtëm në deklaratën e tij, të cilën piktori dështak u përpoq ta dezinformojë, u shpreh se mirëpriti hapin e madh që bëri Shqipëria duke adoptuar në mënyrë unanime amendamentet kushtetuese. Ju jeni dëshmitarë të përpjekjeve demoniake që bëri piktori dështak për të përjashtuar opozitën, me qëllim për të kapur me çdo kusht drejtësinë”, ka thënë Berisha.

Në fund ai i është drejtuar kryeministrit Rama duke i thënë: “Ti more turpin që të takonte dhe për fat të keq dënimin e shqiptarëve”. Ndërsa deputetëve të mazhorancës ai u ka përcjellë mesazhin se, nuk mund të mashtrojnë Europën.