Neymar: I lumtur te PSG, Mbappe është një nga arsyet

Në njërën anë zërat për një rikthim te Barcelona dhe në anën tjetër deklaratat e dashurisë për PSG dhe për Kylian Mbappe.

Neymar në një intervistë të fundit për “France Football” flet për
eksperiencën e tij në Paris dhe raportet me Mbappe me këtë të fundit
sipas brazilianit është një nga arsyet që ai ndihet i lumtur në
aventurën e tij në Ligue 1.

“Unë i detyrohem Mbappe-së, një pjese të madhe të lumturisë sime te PSG. Ai më ka bërë të mësoj mënyrën
sesi të jesh francez, më ka shpjeguar mentalitetin francez. I detyrohem
një pjesë të madhe të adaptimit tim, është një person shumë i lumtur
dhe i mirë me të gjithë, një njeri i shkëlqyeshëm. Kylian është arsyeja pse ne e kuptojmë njëri-tjetrin që nga dita e parë”.

Në intervistën e gjatë për prestigjozen franceze, sulmuesi vijon të
flasë për një lidhje të fortë me lojtarin francez dhe për përshtatje
totale me jetën në Paris që po i pëlqen gjithnjë e më shumë ndërsa vetë
“France Football” ka folur me përfaqësuesit e brazilianit prej të cilëve
ka mësuar se Neymar dëshiron të vazhdojë karrierën te Paris Saint
Germain.

Jo më kot pak ditë më parë dolën dhe lajme se agjenti i sulmuesit dhe
Leonardo kanë nënshkruar një parakontratë e cila do të shndërrohet në
një rinovim për 3 sezone të tjera me të njëjtën pagë prej 36.8 mln euro
në vit për futbollistin.