Vrasja e afro-amerikanit, ndalon sportin në SHBA

Baseballi, NBA dhe Hockey janë tre sporte elitare në SHBA me qindra
mijëra tifozë, dhe së fundmi ekipet e Minneaolis janë bashkuar në një
tjetër kauzë kundër vrasjes së një afroamerikani nga policia e cila
konsiderohet një sjellje brutale ndaj njerëzve me ngjyrë.

Nuk ka kaluar shumë kohë kur Minneapolis dhe e gjithë SHBA u shokua
nga pamjet e sjelljes së policisë ndaj George Floyd i cili më pas humbi
jetën ndërsa tani një 20-vjeçar, Daunte Wright u vra nga agjentët gjatë
një kontrolli të dielën në rrugët e Brooklyn Center, lagje me 30 mijë
banorë në veri të Minneapolis.

Sipas pamjeve të trupit të një agjenti, ky i fundit po debatonte me
20-vjeçarin dhe aksidentalisht në vend që të nxirrte pistoletën
elektrike, përdori atë me plumba duke e qëlluar me një të tillë Wright i
cili u plagos dhe më pas humbi jetën. Oficeri menjëherë u pezullua
teksa kaq ka mjaftuar për të rihapur plagët në këtë qytet ku po ndiqet
gjyqi ndaj policit Derek Chauvin për vrasjen e George Floyd.

Qindra persona kanë nisur protestat teksa ekipet e Minneapolis në
NBA, Baseball MLB dhe Hockey NHL nuk zbritën për të luajtur siç ishte
programuar në shenjë proteste për vrasjen e të riut. Ndërkohë presidenti
amerikan, Joe Biden ka bërë apel për qetësi dhe për të pritur vendimin e
drejtësisë për këtë ngjarje.