Analisti gjerman: Shqipëria pa perspektivë, Rama një figurë tragjike

Mediat gjermane kanë nisur analizat e tyre për zgjedhjet në Shqipëri.
Ato janë në një mendje që në Shqipëri nuk pritet të ndryshojë shumë pas
zgjedhjeve të së dielës.

Erich Rathfelder i gazetës Tageszeitung shkruan se Shqipëria është pa perspektivë. Sipas tij, “kryeministri Edi Rama ishte një dritë shprese tetë vjet më parë, por përfshirja e tij në korrupsion tani e bën atë pothuajse një figurë tragjike”

“A ia ka dalë Edi Rama me të ashtuquajturën partinë e tij
‘socialiste’, me gjithë skandalet që e rrethojnë personin e tij,
korrupsionin e shfrenuar të vazhdueshëm dhe pavarësisht premtimeve
krejtësisht të paqarta për një të ardhme më të mirë të vendit, të
qëndrojë përsëri në pushtet?

As Partia Socialiste në pushtet dhe as Partia Demokratike e
opozitës nuk treguan një program gjatë fushatës zgjedhore. Të dyja palët
u përpoqën që të merrnin pikë ndaj votuesve me premtime shumë të
tepruara. Kur Edi Rama premton një të ardhme të artë me një bum të
turizmit, ai harron qëllimisht që të tregojë problemet.

Nuk ka të bëjë vetëm me ndikimin e disa ‘investitorëve’
(pastruesve të parave), të cilët kujdesen për gjithçka dhe as me ndonjë
plan domethënëse zhvillimi që ruan natyrën nga shkatërrimi i ndërtesave
pa kontroll. Me dhunë dhe me ndihmën e qeverisë, këta njerëz kanë
uzurpuar bregdetin e bukur në jug të Tiranës.

Edi Rama nuk ka më asnjë perspektive të ardhshme për të ofruar.
Fakti që një njeri, një artist që ishte një bartës i vërtetë i shpresës
tetë vjet më parë, u implikua kaq thellë në thesin e madh të
korrupsionit dhe paaftësisë, e bën atë pothuajse një figurë tragjike.

Për fat të keq, opozita nuk arriti të përfitonte mjaftueshëm nga kjo gjë”, shkruan analisti.