Kushti i NATO-s per ushtarakët shqiptarë:Të vaksinohen vetëm me Pfizer

as bluzave të bardha, pensionistëve, policëve e gazetarëve, ka nisur vaksinimi i forcave të armatosura shqiptare. Procesi i nisur dje, ka prioritet ushtarakët që do të jenë pjesë e stërvitjes më të madhe që ka mirëpritur vendi, “Defender europe/21” që do të mbahet nga 26 prilli deri në 20 qershor.

Vetëm një ditë pas zgjedhjeve, në vend do të zbarkojnë mijëra trupa ushtarake amerikane dhe vendeve anëtare të NATO-s. Dhe kjo do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie për shkak të pandemisë. Nisur nga kjo, vendi ynë ka nisur punën për imunizimin e trupave që do të jenë pjesë e stërvitjes. Jo me vaksinën që po injektohet masivisht, por me “Pfizer”, si të vetmen alternativë perëndimore që ka gjendje.

Ndonëse zgjedhja e vaksinave perëndimore, nuk deshifrohet si kërkesë e NATO-s, sipas Ministrisë, por logjika të çon aty. Imunizimi i ushtarakëve nis posaçërisht me ata që do jenë pjesë e eventit më të madh të këtij lloji ndër vite, dhe të paktat e të vetmet doza të “Pfizer”-it që erdhën në 6 prill nisën të administroheshin direkt tek ata. Madje, edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim shprehu preferencën e saj, kur u pyet mbi qasjen e Shqipërisë ndaj vaksinave lindore. “Sa më përket mua, mund t’ju them se i besoj vaksinës amerikane. Ne kemi standard më të lartë dhe mendoj që kjo pranohet në mbarë botën”.

Ndryshe nga listat e para të ushtarakëve që po vaksinohen, burimet brenda Ministrisë shtojnë se pjesa tjetër e forcave të armatosura do të kenë mundësi të zgjedhin llojin e vaksinës, gjë që nuk është aplikuar për asnjë kategori të lartpërmendur që është futur prej kohësh në proces.

Arsyet që kanë çuar NATO-n në një kërkesë të tillë janë krejtësisht të kuptueshme. Përveçse nuk do të lejonte që në dejtë e trupave të aleancës të injektohej vaksinë e prodhuar në vendet jashtë saj, si Rusia dhe Kina, vlerat e sigurisë dhe efikasitetit të provuar të “Pfizer/BioNTech” mund të sigurojnë mbarëvajtjen e eventit të madh, që mirëpret Shqipëria këtë vit.

Për stërvitjen e përbashkët ushtarake dhe lejimin e kalimit të trupave në territorin tonë, qeveria hartoi një projektligj të posaçëm që ka marrë miratimin e kuvendit në fillim të muajit mars. Qëllimi i tij është lejimi i hyrjes në territorin e republikës së Shqipërisë të mbi tre mijë trupave ushtarake nga disa vende pjesëmarrëse të Aleancës së Atlantikut Verior./PANORAMA